Kodi i Etikës dhe Sjelljes i Dhomës së Tregtisë Shqipëri - Luksemburg

Neni 1: Qëllimi

Kodi i Etikës dhe i Sjelljes është i miratuar nga Bordi i Dhomës së Tregtisë Shqipëri-Luksemburg (më poshtë “Dhoma e Tregtisë”) dhe i shpërndahet të gjithë anëtarëve të rinj të Dhomës së Tregtisë individë, shoqëri tregtare apo organizma publikë ose privatë (më poshtë “Anëtarët”) në momentin e anëtarësimit së bashku me një kopje të statutit.

 

Neni 2: Fusha e zbatimit

Të gjithë Anëtarët pa përjashtim duhet të respektojnë ligjet në fuqi në Shqipëri, Luksemburg, Bashkimin Europian dhe të cdo shteti tjetër ku ushtrohet biznesi, si dhe statutin e Dhomes së Tregtisë.

 

Neni 3: Përkufizime

Kodi i Etikës dhe i Sjelljes është “Një deklaratë e parimeve dhe vlerave që vendosin standarte dhe pritshmëri lidhur me veprimtarinë e një organizate private ose publike, kompanie, grupi ose individi lidhur me standartet minimale të sjelljes të Anëtarëve, të punësuarve ose vullnetarëve” (burimi: Transparency International 2009).

 

Neni 4: Parimet kryesore

Të gjithë Anëtarët, pa përjashtim, janë të angazhuar të respektojnë gjatë marrëdhenieve të biznesit me Dhomën e Tregtisë, me Anëtarët e tjerë të Dhomës së Tregtisë, me organizatat dhe institucionet publike dhe gjatë cdo aktiviteti tjetër i ndermjetësuar nga Dhoma e Tregtisë parimet e ligjshmërisë, transparencës, konfidencialitetit, ndershmërisë, integritetit dhe standarteve të larta të biznesit.

 

Neni 5: Ndalimet

Të gjithe Anëtarët e Dhomës së Tregtisë, pa perjashtim, gjatë veprimtarisë së biznesit, nëpermjet ose me ndërmjetësimin e Dhomës së Tregtisë, janë të ndaluar të kryejnë aktivitetet e mëposhtme:

  • Të ofrojnë, pranojnë ose paguajnë, drejtpërdrejt ose tërthorazi, shuma parash per qëllimë korrupsioni;
  • Të kryejnë veprimtari biznesi të paligjshme;
  • Të kryejnë veprimtari biznesi në shkelje të statuteve të Dhomës së Tregtisë.

 

Neni 6: Konfliktet e Interesit

Dhoma e Tregtisë e ushtron veprimtarinë e saj në përputhje me interesat e saj dhe të Anëtarëve të saj.

Dhoma e Tregtisë dhe Anëtarët e saj i shmangin konfliktet e interesit gjatë veprimtarisë së tyre dhe, në rastet kur keto konflikte interesi nuk mund të shmangen, atëherë palët e lidhura me këto konflikte interesi duhet të njoftohen me shkrim mbi ekzistencën e këtyre konflikteve të interesit.

 

Neni 7: Rregullat e Sjelljes

Të gjithe Anëtarët e Dhomës së Tregtisë, pa përjashtim, pranojnë të respektojnë rregullat e mëposhtme:

  • Të ushtrojnë të gjithë aktivitetin profesional dhe të biznesit në përputhje me ligjet në fuqi dhe në mënyrë të ndershme, në mënyrë që të respektojnë parimet dhe vizionin e Dhomës së Tregtisë dhe të Anëtarëve të saj;
  • Të respektojnë dhe përfaqësojnë reputacionin, parimet dhe vizionin e Dhomës së Tregtisë;
  • Të informohen mbi aktivitetet e Dhomës së Tregtisë dhe ti mbështetin këto aktivitete;
  • Të ofrojnë shërbime ose produkte cilësore e të ndershme për klientët e tyre;
  • Në rastet e reklamimeve, të prezantojnë produktet ose shërbimet në mënyrë të ndershme dhe transparente;
  • Të respektojnë të gjitha ligjet në fuqi në nivel lokal e ndërkombëtar;
  • Të bashkëpunojnë me autoritetet publike në rastet e hetimeve për shkeljet e ligjeve;
  • Të marrin pjesë në aktivitetet e Dhomës së Tregtisë dhe sipas mundësive të promovojnë Dhomën e Tregtisë, vizionin dhe parimet dhe, kur është e mundur, të ndajnë eksperiencë dhe ekspertizë me Dhomën e Tregtisë.

 

Neni 8: Bashkëpunimi ndërmjet Dhomës së Tregtisë dhe Anëtarëve

Në bazë të mundësive, Anëtarët duhet të rekomandojnë misionin dhe strategjitë e Dhomës së Tregtisë duke promovuar, përfaqësuar dhe mbrojtur interesat e komunitetit të biznesit dhe forcimit të lidhjeve të biznesit ndërmjet Shqipërisë dhe Luksemburgut.

 

Neni 9: Sanksione

Anëtarët pranojnë faktin që shkelja e statuteve dhe Kodit të Etikës e të Sjelljes së Dhomës së Tregtisë sjell si rezultat përjashtimin nga anëtarësia e Dhomës së Tregtisë.

 

Neni 10: Pranime

Anëtarët pranojnë që në momentin e anëtarësimit në Dhomën e Tregtisë kanë lexuar dhe njohur përmbajtjen e Statutit dhe Kodit të Etikës e të Sjelljes së Dhomës së Tregtisë, dhe pranojnë që ti respektojnë gjatë gjithë aktivitetit të tyre.