Shqiptarët mes Organikes dhe Natyrales

Të gjendur mes një game të larmishme produktesh, pa kuptuar qartazi cili është vendas e cili i importuar, shqiptarët e kanë kthyer në mit frazën; ‘Bio kanë qenë vetëm ato produkte që gjyshet e gjyshërit tanë konsumonin’. Kjo frazë mund të këtë të vërtetën e saj, por jo krejtësisht. Natyrale nuk do të thotë organike. Standardet e aplikuara në bujqësi, veçanërisht standardet bio, janë një tërësi e rregullave dhe specifikimeve të cilat përcaktojnë kushtet e sakta për prodhimin, përpunimin, transportin, çertifikimin dhe kontrollin e produkteve bujqësore.

Një produkt nuk është organik, vetëm për shkak se atë e keni blerë tek një fermer që ju betohet me ç’ka në shtëpi se janë perime dhe fruta të freskëta nga të baçes. Është shumë e rëndësishme që të keni më shumë informacion në lidhje me vendndodhjen e fermës apo kopshtit, me tokën ku këto produkte janë rritur, çfarë është përdorur për të plehëruar token, a është kjo tokë e ndotur nga një depozitim mbetjesh pranë të mbjellave dhe në ç’mënyre këto produkte janë transportuar deri në vendin e shitjes.

 

Prodhimi Organik në Shqipëri

Toka bujqësore shumë pjellore, moti i ngrohtë dhe klima e butë e bëjnë Shqipërinë një burim ideal të prodhimit organik. Megjithatë, sektori organik në Shqipëri është në faza fillestare. Produktiviteti në këtë sektor është i ulët. Ndër problemet kryesore janë mungesa e financimit për investim, metodat e vjetruara të prodhimit, mungesa e informacionit dhe e penetrimit në tregje. Së fundmi sektori i prodhimit organik në Shqipëri po zhvillohet në mënyrë dinamike.

Sipas raportit Bota e Bujqësisë Organike - Statistikat dhe tendencat 2015, Shqipëria ka 662 hektarë tokë organike që përbën 0.1% të totalit të tokës bujqësore. Sipas të dhënave të publikuara, të cilat i referohen vitit 2013, në Shqipëri ka 46 prodhues organikë, 27 agro-përpunues, 4 importuesit dhe 20 eksportues. Toka bujqësore organike në vitin 2013 u rrit me 29% krahasuar me 2012-tën.

 

Zhvillimi I Tokes Bujqesore Organike ne Shqiperi 2010 – 2013

Të dhënat nga Raporti Bota e Bujqësisë Organike - Statistikat dhe tendencat 2015

 

Çertifikimi BIO

Çertifikimit Bio është një mjet i rëndësishëm për fermerët shqiptarë veçanërisht për eksportin e produkteve të tyre. Megjithatë, ata ende janë skeptikë. "Bio" nuk ekziston” thotë për agroweb Altin Prenga pronari i fermës " Mrizi i Zanave” në Fishtë, Lezhë. Në vend të fjalës ‘organike” unë preferoj të përshkruaj produktet e fermës sime me termat; produkte natyrale, sezonale, të freskëta apo të zonës dhe kështu ndihem më i ndershëm me konsumatorin.

'Organikja nuk është e qëndrueshme”, thotë mendimin e tij ai, duke shpjeguar çështjet kryesore që ai i konsideron si pengesa; mungesa e farërave të pastra organike, kosto të larta për testimin e produktit si organik dhe faktin se është e pamundur të mos përdoren pesticide kimike për të mbrojtur produktet gjatë rritjes.

Fakti që Zoti Prenga nuk eksporton prodhimet e fermës së tij është një tjetër arsye pse ai ndoshta nuk ka ndjerë ende emergjencën për një çertifikim Bio. Por eksportuesit e kanë të domosdoshëm çertifikimin e produkteve të tyre.

Në Shqipëri ka 38 Ferma Organike të çertifikuara nga Albinspekt, bazuar në të dhënat e vëna në dispozicion nga ky institucion për agroweb. Albinspekt, është operatori që siguron një shërbim inspektimi dhe certifikimi të produkteve organike sipas standardeve kombëtare, private dhe evropiane. Roli kryesor i Albinspekt është sigurimi i shërbimit të inspektim/certifikimit si dhe informacion lidhur me parimet dhe metodat e prodhimit organik dhe është trupa certifikuese e 70% të kompanive të çertifikuara në Shqipëri.

Burimi: Albinspekt
 

Sipas një studimi të FiBL-së mbi sektorin organik ndërkombëtar, prodhimi organik në Shqipëri ka marrë shumë rëndësi e po rritet ndjeshëm në vitet e fundit (link). Sipas raportit, suksesi i mbledhjes së bimësisë së egër të çertifikuar me standarde organike është veçanërisht mbresëlënës. Bimët medicinale, gështenjat, kërpudhat dhe manaferrat e egra janë mbledhur në mbi nëntë për qind të territorit kombëtar. Një industri inovative e përpunimit tashmë është e specializuar në rafinimin e këtyre burimeve natyrore. Kjo ka një rëndësi të madhe ekonomike për zhvillimin e zonave rurale. Nga ana e kërkesës, tregu i brendshëm pritet të rritet e të zgjerohet. Stimuj të rëndësishëm për fokusimin drejt menaxhimit organik janë përfshirë kohët e fundit edhe në skemat mbështetje financiare të Ministrisë së Bujqësisë për prodhimin organik, por edhe nga interesi në rritje brenda Shqipërisë për produkte të shëndetshme të prodhuara në vend.

Janë realizuar një sërë projektesh të suksesshme të bashkëpunimit rajonal dhe ndërkombëtar, ka pasur edhe përpjekje të disa prodhuesve vendas, por ende produktet organike shiten në vetëm disa dyqane të pakta të produkteve Bio apo organike. Pamundësia aktuale e prodhuesve për të ofruar një gamë të gjerë të produkteve krijon dallime të mëdha në baza sezonale të prodhimit dhe e vështirëson shpërndarjen e organizuar.

 

Interes në rritje për Produktet Organike Shqiptare

"Shqipëria duhet të orientohet drejt bujqësisë organike”, kështu u shpreh Presidenti i Zyrës Federale për Bujqësinë dhe Ushqimin të Gjermanisë,Hanns Christoph Eiden gjatë një marrëveshje të kohëve të fundit mes Shqipërisë dhe Gjermanisë. Sipas tij, ka shumë potencial në tregun gjerman për futjen e produkteve organike.

Sipas Ministrit të Bujqësisë, Edmond Panariti, Shqipëria ka një të ardhme të mirë për rritjen e prodhimit organik. Sipas zotit Panaritit Shqipëria ka një potencial prej rreth 200 fermash të bujqësisë organike, por që përveç akreditimit kombëtar u duhet të kenë edhe akreditim nërkombëtar, në mënyrë që të njihen të tilla edhe nga tregjet e huaja.

Për konsumatorët është gjithmonë e më e rëndësishme njohja e detajuar e produkteve që konsumojnë. Prandaj ata janë të predispozuar të kërkojnë produkte që janë kultivuar në mënyrë natyrore, janë rritur me produkte organike dhe janë përpunuar e transportuar sipas standardeve të përcaktuara, nga institucionet apo organizatat përgjegjëse.

Për të konkurruar denjësisht në një treg ndërkombëtar, ku fuqia blerëse është e informuar dhe e orientuar drejt cilësisë, fermerëve shqiptarë do t’u duhet të marrin masat e duhura për të përmbushur pritshmëritë dhe kërkesat, duke çertifikuar produktet e tyre. Organike apo natyrale, u duhen prova për ta vërtetuar.

 

Artikulli Origjinal: http://agroweb.org/archive/?id=10&l=375
Burimi: © Agroweb.org